Jeta luksoze e vajzes shqiptare qe i vodhi parate babait

Shkëlqim Buziu, babai i 18-vjeçares hajdute, Fatma, shpjegon për  gazetën Panorama skemën e vjedhjes nga e bija.
“Vajza vinte rrallë në shtëpi. Nuk është se e kisha me qejf dhëndrin e ri. Madje unë kam qenë kundër që vajza ime të merrte atë maskara për burrë (25-vjeçari Ismail Xhindi), por pasi mbaroi shkollën e mesme ajo iku nga shtëpia nuk më ngeli veçse të thosha se e kam fejuar vajzën”, deklaron Shkëlqimi.
Sipas tij “truri” i vjedhjes është bashkëjetuesi i vajzës.
“Ai e ka detyruar vajzën time që të vjedhë paratë e hallës së saj. Madje unë e akuzoj atë palaço (Xhindin) se ai vetë e ka hapur kasafortën dhe i ka marrë lekët dhe frangat, por i ka bërë presion vajzës time që të mos tregojë të vërtetën dhe ta marrë përsipër vjedhjen. Nuk ka mundësi që vajza ime ta ketë çmontuar vetë kasafortën se ajo është shumë e madhe dhe e rëndë”, deklaron ai.
Në një rinumërim të lekëve, pasi e motra i kishte dhënë që t’iu bashkëngjiste edhe ca franga, ai ka konstatuar mungesën e shumave të mëdha.
“Menduam që t’i numërojmë edhe njëherë të gjitha paratë e motrës sime duke i veçuar nga disa kursime të miat si peshkatar. Kur përfunduam numërimin, u shokova. Kontrollova mirë e mirë kasafortën dhe pashë se asaj i ishin çmontuar vidat nga poshtë. Gati fillova të marr fund si rob dhe fillova të vras mendjen se kush mund t’i kishte marrë. Atëherë nisa të mendoj për jetën e sime bije muajt e fundit; asnjëri prej tyre nuk punonte, por ama kishin marrë një apartament në qendër të Durrësit dhe e kishin mobiluar si shtëpi pasanikësh, hyje me mend e dilje pa mend. Fatma dhe Ismaili kishin marrë edhe dy lokale të shtrenjta me qira, shkonin në udhëtime me dhëndrin dhe së fundmi dhëndri kishte blerë një Benz luksoz “Regina” etj. I mora në telefon dhe u thashë të vinin nga unë për vizitë. Kur erdhën, i vura me shpatulla për muri dhe e pranuan se i kishin marrë lekët, por thanë se i kishin shpenzuar. U larguan dhe më sollën vetëm 6 milionë lekë të vjetër. Vetëm kaq na kanë mbetur më thanë të dy”, ka deklaruar i ati në polici.
Sipas tij, e gjithë shuma e vjedhur janë paratë nga siguracioni i motrës në Zvicër pas një aksidenti të bashkëshortit.
Ai paralajmëron dhëndrin që t’i paguajë të gjithë shumën e vjedhur, përndryshe do të hakmerret ndaj tij.
Pas vdekjes së bashkëshortes, Shkëlqimi është ndarë edhe me gruan e dytë pas konflikteve për humbjen e të hollave dhe vetëm së fundmi ka mësuar se mungesa e parave i vinte nga vajza e madhe dhe jo nga bashkëshortja e dytë.